Benjamin 3 150314 1

  • 9 years ago
PDSH-ja akuzoi sot Ministrin e Mbrojtjes Talat Xhaferi se me paratë e Ministrisë ka blerë 2 tituj librash me nga 50 kopje nga profesori Zoran Nacev, i cili në të njëjtën kohë ka qenë edhe mentor i Xhaferit në magjistraturën e tij. Kështu sipas PDSH-së, Ministri i Mbrojtjes i ka shtuar titull shkencor emrit të tij, në kurriz të popullit.

"Në shtator të vitit të kaluar Talat Xhaferi u bë Magjistër. Nuk do të kishte asgjë kontestuese në këtë situatë në qoftë se ministri i Mbrojtjes Talat Xhaferi të mos shfrytëzonte paratë e popullit për këtë qëllim. Ai nga buxheti i Ministrisë blen dy tituj me nga 50 kopje me vlerë prej 100 000 denarësh, nga autori Prof. dr. Zoran Nacev, i cili është mentor i Talatit në magjistraturën e tij", tha Bekim Fazliu, PDSH.

Sipas Ministrit të Mbrojtjes Talat Xhaferi, akuzat e PDSH-së janë të pabaza, ndërsa librat janë blerë për nevojat e Akademisë Ushtarake, ashtu siç janë blerë edhe shumë libra të tjerë nga autorë të ndryshëm. I sponsorizuar nga Ministria e Mbrojtjes, sipas Xhaferit, ka qenë vetëm libri i Jusuf Zejnelit, me titull "Parlamentarizmi në Republikën e Maqedonisë".

"Është e mjerueshme shqetësimi i Bekim Fazliut se gjoja unë për nevojat e Ministrisë paskam blerë libra. Sa për informim të opinionit, për dallim nga ministrat e PDSH-së, edhe ato pak mjete të cilat ministria i ka disponuar për të sponsorizuar libra, unë si Ministër i Mbrojtjes kam sponsorizuar vetëm këtë libër", deklaroi Talat Xhaferi, Ministër i Mbrojtjes.

Bekim Fazliu nga PDSH-ja, në konferencën e sotme për mediat, iu bëri gjithashtu thirrje organeve kompetente që të ngrenë procedurë lidhur me akuzat e tyre publike ndaj ministrit të Mbrojtjes. Benjamin Arifi